Ambasada e Republikës së Sllovenisë /Lajme /
15.05.2020  

Sllovenia shpall fundin e epidemisë COVID-19; asnjë karantinë për qytetarët e BE-së

Qeveria e Republikës së Sllovenisë ka miratuar një rregullore që shpall përfundimin e epidemisë COVID-19 dhe që ka hyrë në fuqi që nga data 15 maj, bazuar në një vlerësim të përbashkët nga profesionistë të kujdesit shëndetësor dhe Qeveria. Sllovenia është kështu vendi i parë në Evropë që ndërmori këtë hap. Meqenëse rreziku i përhapjes së COVID-19 vazhdon të ekzistojë, masat e përgjithshme dhe specifike të miratuara në bazë të vendimit për zbatimin e masave në të Ligjit të Sëmundjeve të Transmetueshme do të vazhdojnë të zbatohen, në përputhje me mendimin e ekspertëve deri më datën 31 maj 2020.

Situata aktuale epidemiologjike bën të mundur lehtësimin e masave që ishin urgjente për të parandaluar dhe kontrolluar COVID-19, por ato ende nuk mund të hiqen plotësisht. Rasti i parë i konfirmuar i infeksionit SARS-CoV-2 u regjistrua në Slloveni më 4 mars 2020 dhe deri më 14 maj, u regjistruan 1465 raste të konfirmuara të infeksionit. Incidenca kumulative 14-ditore ka qenë 35 raste dhe numri efektiv i ripërsëritjes aktualisht është më pak se një.

Në vlerësimin e tij, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka theksuar se masat për të kufizuar përhapjen e infeksionit përfshijnë testimin, izolimin e pacientëve, gjetjen e kontakteve, karantinimin e kontakteve të ngushta me rrezik të lartë, higjenën e duarve dhe të kollitjes dhe respektimin e distancës fizike. Masa e mbajtjes së maskave, ose e mbulimit të gojës dhe hundës në hapësira të mbyllura publike vazhdon të jetë në fuqi. Për më tepër, jo të gjithë fëmijët dhe studentët do të kthehen në shkolla dhe çerdhe të hënën, 18 maj.

Që nga sot, hiqet karantina shtatë-ditore pas hyrjes në Slloveni për shtetasit e BE-së

Dje, Qeveria e Republikës së Sllovenisë hoqi gjithashtu karantinën e detyrueshme shtatë ditore për qytetarët e BE-së. Në të njëjtën kohë, u vendos një karantinë 14-ditore për:

- të gjithë shtetasit e vendeve të treta pa qëndrim të përhershëm ose të përkohshëm në Bashkimin Evropian;

- personat që kanë qëndrim të përhershëm ose të përkohshëm në BE dhe kanë lënë territorin e BE për më shumë se 14 ditë. Zëdhënësi Jelko Kacin shtoi se policia kufitare do t'u sigurojë të gjithëve që hyjnë në Slloveni udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për zbatimin e masave për të parandaluar përhapjen e virusit.

Masat e rrepta mbeten në fuqi për shtetasit e huaj që arrijnë në kufirin Slloven me shenja të dukshme të infeksionit të traktit të sipërm respirator ose me një rezultat pozitiv testi për koronavirusin; atyre mund t’u refuzohet hyrja.

Nëse një person me vendbanim të përhershëm në Slloveni tregon se është i infektuar me koronavirusin e ri, ose shfaq simptoma të dukshme, atëherë ai do të udhëzohet nga zyrtari i policisë kufitare që të kontaktojë menjëherë mjekun personal të zgjedhur ose shërbimin e urgjencës mjekësore përmes telefonit.

Urdhri i qeverisë parashikon disa përjashtime. Karantina nuk do të jetë e detyrueshme për:

• personat që marrin pjesë në funeralin e një të afërmi në Slloveni dhe largohen nga vendi në qytetin e tyre brenda ditës duke paraqitur një provë të datës dhe orës së funeralit;

• personat që kryejnë transportin e mallrave në ose nga Sllovenia në një vend të tretë, si edhe transportin e mallrave nga vendet e treta në tranzit;

• persona me pasaporta diplomatike;

• personat që ofrojnë shërbime emergjence për të cilat kanë marrë një çertifikatë nga ministria përgjegjëse dhe që karantina e tyre shkakton një dëm të madh ekonomik e social nga mosdhënia e këtyre shërbimeve.

• anëtarët e shërbimeve të mrojtjes dhe shpëtimit, të shërbimeve shëndetësore, policisë dhe zjarrfikëseve, si dhe përsonat që kryejnë transport humanitar drejt Sllovenisë dhe që kalojnë kufirin për të përmbushur misionin e tyre.

Zëdhënësi i qeverisë, Jelko Kacin, theksoi se ndryshimi i masave u mor pas ngjarjeve në vendet fqinjë. Në rast të shfaqjes së një shpërthimit të madh në vendet fqinje ose në rastin e ripërhapjes së COVID-19 në Slloveni, qeveria do të përgjigjet për situatën duke rivendosur masa të tjera për të luftuar epideminë.